Makina për bluarjen e mishit ia këputë shuplakën e dorës punëtorit të mishtores

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë.

Për një rast të lëndimit në punë që ka ndodhur në Deçan gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar rast.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një punëtor i mishtores “Vëllezërit Neziraj” në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan derisa ka qenë duke punuar, makina për bluarjen e mishit ia ka këputur shuplakën e njërës dorë dhe për pasojë është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Deçanit.

Për shkak të gjendjes serioze, viktima është transportuar më pas në Spitalin e Pejës, por ka vazhduar për në QKUK, si pasojë e lëndimit të rëndë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë vendin e punës”.

Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga mishtorja, teksa s’kanë pranuar të japin më shumë detaje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *