Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se shkalla e inflacionit për muajin prill ishte 6.3 për qind, që sipas tij, paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin e disa muajve më parë.
Ai tha se çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit, teksa përmendi çmimet e naftës ku tha se një litër naftë tash po kushton 1.15 deri në 1.25 euro, e njëjtë tha se kanë filluar të bien edhe çmimet e produkteve të tjera.
“Një litër vaj ushqimor tani mund të blihet edhe me 1.20 euro, kurse gruri ka prekur nivelin e para disa viteve me 0.22 euro/kg”.
“Megjithatë, ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët”, tha Murati, transmeton Klankosova.tv.
Murati tha se kjo gjë do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por hodhi akuza ndaj partisë opozitare, LDK-së, e cila tha se e ka bllokuar duke e çuar ligjin në Kushtetuese.
“Me sa duket, për ta më e rëndësishme është rritja e fitimeve për tregtarët sesa mirëqenia e qytetarëve”, tha Murati, përcjell Klankosova.tv.