Reduktimet e rrymës dhe ngritja e çmimit janë të pashmangshme pas rritjes së kërkesave për energjinë elektrike me rënien e temperaturave.
Ekspertët thonë se një gjë e tillë është mbështetur edhe nga masat e jashtëzakonshme të Qeverisë të cilat e legjitimojnë reduktimin e energjisë elektrike.
Liron Gjocaj, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se me temperatura e ulëta rritet edhe niveli i konsumit të energjisë për faktin se shumë konsumatorë, energjinë elektrike e përdorin për ngrohje.
Dhe si pasoj e kësaj, sipas Gjocit do të ketë reduktime të energjisë elektrike.
“Nëse e shikojmë lakoren e konsumatorëve në Kosovë shohim që gjatë muajve të verës niveli i konsumit bije e gjatë dimrit lakorja merr një thyerje të përpjetme sepse niveli i konsumit rritet. Kjo për faktin që shumica e konsumatorëve e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Energjia elektrike është më e lirë, më e favorshme dhe më e pastër për ta përdorur për të ngrohur ambientet”.
“Korporata Energjetike e Kosovës duke ditur që temperatura janë duke u ftohur ditë për ditë, dhe niveli i konsumit është duke u ngritur ka shpalosur planin apo ato parashikimet që do të kemi reduktime të energjisë elektrike. Një gjë e tillë është mbështetur edhe nga masat e jashtëzakonshme të Qeverisë të cilat e legjitimojnë reduktimin e energjisë elektrike”, tha ai.
Gjocaj shton se me ndërprerjet e energjisë që pritet të ndodhin, lidhet edhe me termocentralet e stërvejtruar dhe se për këtë arsye edhe 20 për qind e energjisë importohet nga jashtë.
“Këtu shtojmë edhe fakti që termocentrale që i kemi janë të stërvjetruara dhe kapacitet prodhuese të këtyre termocentraleve, edhe po të punonin 100 për qind me efikasitet nuk do të mund të mbulonin kërkesat. Si pasoj e kësaj diku 19 apo 20 për qind e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të importohet nga bursat ndërkombëtarë të energjisë. E çmimi i energjisë në bursa ndërkombëtarë tash është shumë i lartë e kjo është një faktorë tjetër i cili shton që reduktimet të ndodhin në Kosovë dhe problemet teknike e të brendshme e të jashtme që i ka sektori elektroenergjitë në Kosovë”.
“Energjia elektrike sot është një nevojë e pa shmangshme për shkak se edhe si shoqëri jemi duke shkuar drejt digjitalizimit, nuk mund ta paramendojmë një orë pa rrymë e jo ditët të tëra pa rrymë. Kaosi që shkaktohet më ndërprerjen e energjisë elektrike është e pa imagjinueshëm e sidomos gjatë muajve të dimrit ku në Kosovë energjia shfrytëzohet për ngrohje. Mungesa e energjisë elektrike pengon prodhimin, pengon procesin e zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ai.
Gjocaj tha se Kosova importin e energjisë elektrike e bënë nga bursat ndërkombëtare hungareze dhe se çmimi i tyre varion deri 400 euro për megavat për orë dhe se ky çmim ndryshon çdo orë.
“Në bursat ndërkombëtare Kosova fokusohet në bursën hungareze, atje edhe nga importon sasinë e energjisë elektrike ku momentalisht çmimet e energjisë variojnë 300 deri 400 euro për megavat orë, çmimet ndryshojnë orë për orë” u shpreh Gjocaj./EO/