Kanë mbetur rreth dy javë, deri në zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në veri të vendit. Janë përmendur skenarë që qendrat e votimit të vendosen në stacione të policisë. Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se strukturat kriminale në veri mund t’i përsërisin skenarët e kaluar.
Në nëntor të 2022-tës, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit dhanë dorëheqje.
Pas kësaj, data e këtyre zgjedhjeve u caktua 18 dhe 25 dhjetori. Megjithatë, për shkak të tensioneve të krijuara nga bandat kriminale serbe në veri, ato u shtynë për katër muaj.
Këto të fundit, në dhjetor të vitit që lamë pas, me bomba demoluan tërësisht Kuvendet Komunale zgjedhore në veri, raporton transmetuesi publik.
Për shkak të sigurisë më të madhe, një ide për vendosjen e qendrave të votimit është përfolur se mund të jenë stacionet policore atje.
Në lidhje me atë se ku do bëhet votimi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar.
“Gjatë mbledhjes së radhës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një pasqyrë më të qartë të qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Në këtë drejtim, vlerësimi do të bëhet në bashkëpunim me instituicionet e sigurisë. Kjo është një punë, pra vlerësimi i qendrave të votimit, bëhet çdoherë, në çdo proces zgjedhor, jo vetëm kësaj radhe”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Bandat kriminale serbe në veri, afër datës së zgjedhjeve, kanë vazhduar djegien e veturave, targat e të cilave ishin të konvertuara në RKS nga qytetarët në veri. Njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se ekstremistët serbë do të vazhdojnë me këto veprime .
“Kjo fazë do të vazhdoi. duhet PK të shtoi prezencën në veri dhe të vije deri te zbulimi i saj që mos të paragjykohet tash dhe me rëndësishme e lidershipit tonë është zbulimi i kryerëse se kjo është çështje e ekstremisteve serb të dirigjuar nga Beogradi.”, ka thënë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Po ashtu, Kadri Kastrati ka thënë se shteti i Kosovës nuk bën të dorëzohet para disa krimineleve serbë në veri.
“Plani është që zgjedhjet duhet të mbahen dhe unë pres që institucionet e sigurisë ti luftojnë këto elemente, sepse nuk mund të bie në provim para disa kriminelëve atje dhe zgjedhjet duhet të mbahen sepse nuk mund të biem në provim para disa krimineleve atje…”, tha ai
Për zgjedhjet e 23 prillit, KQZ ka certifikuar 11 kandidatë për kryetarë komunash, ndërkohë subjekti politik Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.