𝗣𝘆𝗲𝘁𝗷𝗲 𝘁𝗲̈ 𝗯𝗲̈𝗿𝗮 𝘀𝗵𝗽𝗲𝘀𝗵 – 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘀𝗮 𝗽𝗲̈𝗿 𝗟𝗲𝗵𝗼𝗻𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘀𝗮 𝗽𝗲̈𝗿 𝗙𝗲̈𝗺𝗶𝗷𝗲̈
🔸Unë jam përfituese e skemave sociale, a do të më ndalet asistenca sociale nëse aplikoj nga Shtesat për Lehona dhe Shtesat për Fëmijë?
🔹Jo, përfitimi nga Shtesat për Lehona apo Shtesat për Fëmijë nuk do të ja u ndal asistencën sociale.
🔸Kam gabuar llogarinë bankare gjatë aplikimit, si mund ta bëj ndryshimin?
🔹Pas aplikimit për Shtesa për Lehona apo Shtesa për Fëmijë profili juaj do të jetë i qasshëm deri në datë 20 të çdo muaji, dhe gjatë kësaj periudhe do të mund të ndryshoni/përmirësoni numrin e llogarisë bankare.
🔸Nuk kam llogari bankare, a mund ta vendos llogarinë bankare të bashkëshortit në formën e aplikimit?
🔹Llogaria bankare me të cilën aplikohet për Shtesat për Lehona dhe Shtesat për Fëmijë duhet të jetë vetëm e nënës. Në këtë mënyrë, ne synojmë emancipimin e gruas në shoqëri dhe pavarësinë e saj financiare në familje.
🔸Kam aplikuar për Shtesa për Lehona, a duhet të aplikojë edhe për Shtesa për Fëmijë, apo aplikimi bëhet automatikisht?
🔹Aplikimi për lehona bëhet veçmas aplikimit për Shtesa Për Fëmijë. Në rast se keni aplikuar për Shtesa për lehona, atëherë ngjashëm duhet të aplikoni edhe për përfitim nga Shtesa për Fëmijë në platformën eKosova.
🔸Unë kam lindur foshnjën me datë 23 korrik 2021, a mund të përfitoj nga Shtesat për Lehona?
🔹Shtesat për Lehona aplikohen për nënat të cilat kanë lindur foshnjën e tyre nga data 1 Gusht e tutje. Megjithatë, meqë fëmija juaj është nën moshën 6 vjeçare, ju kualifikoheni për të përfituar nga Shtesat për Fëmijë.
🔸Djali im është 7 vjeçar, përse nuk mund të aplikoj në platformën eKosova për Shtesat për Fëmijë?
🔹Aktualisht, Shtesat për Fëmijë aplikohen për fëmijët e lindur ne periudhën 2015-2021. Megjithatë, me fillim nga viti i ardhshëm, skema e Shtesave për Fëmijë do të zgjerohet duke përfshirë edhe grupmosha të tjera.
🔸Deri me cilën datë mund të aplikoj për Shtesa për Fëmijë?
🔹Aplikimi për Shtesa për Fëmijë është i hapur çdo muaj nga data 1 deri me 20. Pas datës 20 të çdo muaji bëhet verifikimi i aplikacioneve dhe ekzekutimi i pagesave.
🔸Kam aplikuar për Shtesa për Fëmijë në muajin shtator, a duhet të aplikoj prapë në muajin e ardhshëm?
🔹Jo, aplikimi për Shtesa për Fëmijë bëhet vetëm njëherë. Pas aplikimit dhe verifikimit të aplikacionit tuaj, ju do të përfitoni nga Shtesat për Fëmijë deri sa fëmija juaj të mbushë moshën 16 vjeçare.
🔸Unë kam nënshtetësi të huaj, mirëpo jetoj në Kosovë. A kualifikohem për të përfituar nga Shtesat për Lehona?
🔹Shtesat për Lehona aplikohen vetëm për shtetaset e Republikës së Kosovës, mirëpo nëse fëmija juaj do të ketë nënshtetësi të Kosovës, atëherë do të kualifikoheni për të përfituar nga Shtesat për Fëmijë.
🔸Nuk kam pasur mundësi të aplikoj për Shtesa për Lehona menjëherë pas lindjes, a do të marrë mbështetje për 6 muaj në rast se aplikoj muajin tjetër?
🔹Afati i aplikimit për Shtesat për Lehona është 3 muaj pas lindjes. Në qoftë se ju aplikoni gjatë kësaj periudhe, atëherë do të përfitoni mbështetjen e plotë për 3 apo 6 muaj, varësisht statusit të punësimit.
🔸Jam nga Shqipëria dhe jetoj në Kosovë me lejeqëndrim. A mund të aplikoj për Shtesa për Fëmijë për vajzën time e cila ka nënshtetësi të Republikës së Kosovës?
🔹Po, nëse vajza juaj ka lindur ne periudhën 2015-2021 dhe ka nënshtetësi të Republikës së Kosovës, atëherë ju kualifikoheni për përfitim nga Shtesat për Fëmijë. Aplikimi në rastin tuaj bëhet përmes email adresës masa3.5@rks-gov.net
🔸Ku duhet të drejtohem në rast se kam pyetje lidhur me aplikimin për Shtesa për Fëmijë dhe Shtesa për Fëmijë?
🔹Për çdo pyetje lidhur me Shtesat për Fëmijë dhe Shtesat për Lehona, ju lutemi të drejtoheni në e-mail adresën masat@rks-gov.net