“Po lulëzon ekonomia” – ish ministri ‘tregon realitetin’: Ka zvogëlim të vendeve të punës

Deklarata e Hekuran Muratit se në sektorin e prodhimit në të gjithë Kosovën janë mbi 7 mijë vende të reja të punës gjatë vitit 2022, për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, nuk e shpërfaqë realitetin në terren.

Shatri duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thotë se pretendimi i Muratit për mbi 7 mijë vende të reja të punës nuk është asgjë tjetër përveç propagandë, pasi që sipas tij shifrat e ASK-së nuk tregojnë rritje, por zvogëlim të vendeve të punës.

“Unë nuk po i shoh ku janë ata 7 mijë vende të reja të punës. Ndoshta po nxirret vetëm një segment prej informatave sa për të bërë fushatë e për të reklamuar se kanë bërë diçka. Statistikat tregojnë se në sektorin e prodhimit në vitin 2022 numri i të punësuarve ka rënë, edhe Murati të njëjtat statistika i ka lexuar, por ai ka parë rritje, ndoshta ashtu i qesin syzat”, ka thënë Shatri për Albanian Post.

Rritje, sipas Shatrit i cili argumenton duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka pasur vetëm në kohën kur Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete nga buxheti për t’i kompensuar punëtorët me nga një pagë në sektorin privat.

“Po e përsëris unë nuk kam parë në statistika shifra të rritjes në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, rritje ka pasur vetëm në kohën e formalizimit të punëtorëve. Ndryshe këto vende të reja të punës do të duhej të reflektonin në ndonjë aktivitet të shtuar në prodhim, gjë që nuk ndodhur”, ka shtuar ai.

Se shifrat e prezantuara nga ana e ministrit të Financave janë përpjekje propagandistike për të paraqitur një situatë të lulëzimit të ekonomisë së Kosovës, e thotë edhe Koordinatori i Departamentit për Financa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

Sipas Mustafës punësime të reja mund të ketë pasur, por ato jo domosdoshmërisht paraqesin vende të reja të punës, pasi që një pjesë e këtyre punësimeve të reja mund të jenë zëvendësime për ata që po migrojnë jashtë vendit.

“Këtë ‘lulëzim’ të ekonomisë si duket po e sheh vetëm ai dhe Kryeministri, që në vend të punës si duket kanë zgjedhur propagandën si rrugë më të lehtë për të mbushur mandatin e tyre qeverisës”, ka shkruar Mustafa në rrjetin e tij social në Facebook.

“Ministri i Financave flet për lulëzim të prodhimit, ndërsa norma e rritjes ekonomike prej rreth 3 për qind është më e ulët sesa mesatarja e dhjetë viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar prej 4.3 miliardë euro ka arritur vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë. Shtrohet pyetja ku po shkon ky prodhimi qe po e përmend Ministri?!”.

Murati shifrat për vende të reja të punës i kishte proklamuar si dëshmia më e mirë se programi i Qeverisë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionin.

Megjithatë, sipas Mustafës, Qeveria s’ka ide për të krijuar kushte afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës në vend.

“Për fund, fjala e përdorur më së shumti në postimin e Ministrit të Financave ishte fjala subvencion. Kjo tregon se politika kryesore ekonomike e kësaj Qeverie janë subvencionet, pra shfrytëzimi i taksave të qytetarëve dhe bizneseve për ti dhënë para disa qytetarëve dhe bizneseve”.

Përderisa ekspertët, ashtu edhe qytetarët e Kosovës, vlerësojnë se gjendja ekonomike në vend është e rënduar, fillimisht si pasojë e pandemisë COVID-19, pastaj edhe e krizës nga lufta në Ukrainë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shihte një realitet tjetër.

Kryeministri në muajin tetor të vitit të kaluar deklaronte se për një vit e gjysmë të qeverisjes së tij kishte mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të reja të punës.

Megjithatë as asaj që kryeministri Kurti, i ishte referuar si hapje të vendeve të reja të punës gjatë mandatit të tij, nuk është se i kishin besuar njohësit e çështjeve të ekonomisë në vend.

Një gjë e tillë, sipas tyre, ishte formalizim i ekonomisë, por jo edhe 40 mijë vende ekskluzivisht të reja të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *