Projektligji për Trustin u shpërndahet deputetëve, këto janë procedurat deri në ditën e votimit

Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës, pa mendim të Qeverisë të enjten iu është dërguar sërish deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka treguar për Front Online procedurat e këtij Projektligji për të arritur tek dita kur do të hedhet në votim.

Ai tha se Projektligji së pari duhet që të diskutohet në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere që më pas të hynë në rend të ditës për votim.

“Të enjten projektligji iu ka shpërnda deputetëve, tash komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere duhet ta trajtojë. Komisioni e ka për obligim që brenda dy jave ta trajton mandej dy deri në katër jave sipas rregullores duhet të vjen në seancë për votim”, tha Haxhiu për Front Online.

Por, ende nuk dihet se kur ky Projektligji do të diskutohet në komision.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni, Ferat Shala, tha se ende nuk kanë informacion se kur do të trajtohet ky projektligj në komision.

“Ende s’kemi informacion, ne nuk kemi informacion sot është projektligji për produkte ndërsa sa i përket trustit ende nuk kemi informacione se kur do të trajtohet në komision”, tha Shala.

Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën në Prishtinë do të mbahet protestë ku do të kërkohet që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.

Organizatorët, kanë bërë thirrje që sa më shumë qytetarë t’u bashkohen atyre, duke vlerësuar se në të kundërtën, partia në pushtet do t’i akuzojë që kërkesa nuk është e popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *