Sipas informacioneve zyrtare paraprake nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, tërmeti që ka goditur vendin ishte i një magnitude 5.8 sipas shkallës. Dridhjet e këtyre tërmeteve janë ndier edhe në Kosovë. Por, sa tërmete kanë ndodhur deri më tani në gjithë territorin e Kosovës.
Që nga themelimi i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës në vitin 2008 dhe mbledhjes së të dhënave nga përfundimi i luftës në vitin 1999, e deri në vitin 2018, shihet se në Kosovë kanë ndodhur 901 tërmete me Magnituda 1.5 e deri në 5.2 shkallë të Rihterit.
Nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës është bërë e ditur se Kosova, në periudha kohore të ndryshme është përballur me tërmete të vogla dhe të mëdha.
Tërmeti më i fuqishëm gjatë periudhës 1999-2018, ka qenë në regjionin e Gjilanit në vitin 2002.
“Vendi ynë është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2018, tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24/04/2002, Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ballë të Merkalit, këtë të dhënë e kemi huazuar nga Maqedonia dhe Shqipëria sepse në atë kohë nuk ka ekzistuar rrjeti apo institucioni në fjalë”.
Në vitin 2010 territorin e Kosovës e ka goditur një termet tjetër i fuqishëm me intensitet 7 ballë, ndërsa në nëntor të vitit 2013 një tërmet i fuqisë mesatare ka goditur edhe regjionin e Vushtrrisë me Magnituda 4.8 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 61/2 ball të Merkalit.
Në katalogun historik të tërmeteve të huazuar nga institucionet e vendeve të rajonit dhe nga Enti Sizmologjik i Selanikut, shihet se kur ka ndodhur tërmeti më i rëndë në Kosovë.
Sipas të dhënave tërmeti më i fuqishëm që ka goditur territorin e Kosovës ishte goditja në zonën Ferizaj-Viti-Gjilan, në vitin 1921. Ky tërmet ishte me Magnituda 6.1 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 9 ballë të Merkalit.
Shkaktarët e tërmeteve në Kosovë
Tërmetet sjellin prej kohësh frikë tek njerëzit, pasi janë një nga fenomenet më të tmerrshme të natyrës. Duke arritur pa paralajmërim, tërmeti mundet, për pak sekonda, të krijojë një nivel vdekjeje dhe shkatërrimi që mund të barazohet vetëm me armët më ekstreme të luftës.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Kosovës shkaktari kryesor i proceseve të cilat sjellin deri te paraqitja e tërmeteve tektonike është lëvizja e pllakave tektonike të korës tokësore.
“Janë pikërisht shkëputjet aktive, që shkojnë thellë nëntokë, ku lindin tërmetet e në veçanti të ashtuquajturat nyje sizmotektonike, vendet e kryqëzimit të shkëputjeve aktive me drejtime të ndryshme të shtrirjes, ku lindin e priten të lindin tërmetet e fuqishme”.
Efektet në truall dhe ndikimet sekondare janë faktorët te cilët lidhen me rrezikshmërinë nga tërmetet e largëta dhe ato të vendeve fqinje, e nga të cilat mund të rrezikohet Kosova.
Ndërkaq faktorët të cilët lidhen me rrezikshmërinë nga tërmetet e largëta të vendeve fqinje janë:
Amplifikimi (ndryshimi i parametrave sizmik për shkak të kushteve specifike të zonës, truallit, topografisë dhe formacioneve gjeologjike)
Formacionet gjeologjike, topografia
Llogaritjet dhe analiza të mira statike dhe dinamike
Themele të përshtatshme
Konfiguracioni, forma, madhësia, lartësia, materialet e përdorura të objektit;
Rrjeti Sizmologjik në Kosovë ka në përbërje 6 stacione sizmike në regjione sipas një forme gjeometrike që të përfshihet mirë i tërë territori ynë dhe ato janë: në Smrekonicë-Vushtrri, Zatra-Pejë, Gërmi-Prishtinë, Livoc-Gjilan, Zatriq-Rahovec dhe në Prizren me pajisje të teknologjisë më të re Geotech.
Shtatë tërmetet më të fuqishme
Në raportin “Mikrozonimi Sizmik i Gjilanit”, i cili është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thuhet se janë shtatë tërmete më të fuqishme që e kanë goditur Kosovën.
Raporti thotë se tërmeti i 1921-së që ka ndodhur në Ferizaj dhe Viti në epiqendër kishte intensitet prej nëntë ballësh, apo 6.1 shkallë Rihter.
Tërmeti i fundit që kishte intensitet të lartë ishte ai i Istogut i ndodhur në vitin 2010, i cili kishte magnitudë momentale prej 5.2 ballësh.
“Tërmeti i Prizrenit, 16 qershor 1456 (MS=6.0; 42.200oN, 20.700oE) me intensitet në epiqendër VIII ballë (Sulstarova et al., 2005), tërmeti i Pejës, 11 nëntor 1662 (MË=6.0; 42.700oN; 20.300oE) me intensitet në epiqendër VIII ballë (Sulstarova et al., 2005; Papazachos et al., 2000), tërmeti i Ferizajt, 26 shkurt 1755 (M=6.1; 42.500oN; 21.900oE) me intensitet në epiqendër IX ballë (Elezaj, 2002), tërmeti i Ferizaj-Vitisë, 10 gusht 1921 (ML=6.1; 42.300oN; 21.300oE) me intensitet në epiqendër IX ballë (Elezaj, 2002), tërmeti i Kopaonikut, 18 maj 1980 (MË=5.7; 43.307oN; 20.867oE) me intensitet në epiqendër VIII ballë (Harvard University, 1980; Elezaj, 2002), tërmeti i Gjilanit, 24 prill 2002 (MË=5.7; 42.440°E, 21.590°N), me intensitet në epiqendër 8 ballë (ISC 2002, Elezaj 2002) dhe tërmeti i Istogut, 10 mars 2010 (MË=5.2; 42.76344N; 20.62811E) me intensitet në epiqendër VII ballë (ISK Nazmi Hasi, Shemsi Mustafa)”.