Burrë e grua kanë humbur jetën sot tragjikisht si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur në orët e pasdites në Komoran të Drenasit.
Në këtë aksident janë përplasur dy vetura të tipit “Golf” dhe “Opel”.
Zëdhënësja e policisë rajonale të Prishtinës Flora Ahmeti ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 17:00 dhe se fillimisht janë raportuar tre persona të lënduar rëndë.
“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar tre persona, dy prej tyre nuk kanë arritur të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.
Policia, autoambulanca dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Mësohet se viktimat janë nga fshati Fushticë.