Van Bommel: Muja është pjesë e planeve tona afatgjata, është lojtar kyç i skuadrës

Arbnor Muja është një nga lojtarët kosovar më në formë të momentit.

Ish sulmuesi i Dritës, kaloi gjatë afatit kalimtar të verës te skuadra belge, Royal Antwerp ku po shkëlqen me paraqitjet e tij duke zënë vend në formacionin bazë të trajnerit, Van Bommel.

Muja së fundmi bashkë me skuadrën e tij fitoi edhe Kupën e Belgjikës, kurse në ligën elitare belge ‘Jupiler Pro League’ ka shënuar 3 gola dhe ka bërë 3 asistime në 23 paraqitje.

Trajneri i Antwerp, Mark Van Bommel dikur një lojtar i njohur që ka luajtur për skuadra të mëdha si Barcelona, Bayern Munich e Milan ka folur për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me ndikimin e Mujës në sezonin e tij të parë te Antwerp.

Van Bommel tha se përshtypjet e para të tij dhe të stafit teknik ishin të mira duke e parë atë që në përballjen që kishin me Dritën në Conference League.

“Për shkak të dy ballafaqimeve tona me FC Drita në Conference League, stafi pa që Arbnori do ishte një lojtar i rëndësishëm për RAFC, duke pasur parasysh këtë përshtypjet tona të para për të ishin shumë të mira. Arbnori punon shumë për të dhënë më të mirën nga vetja. Ai ka mentalitet briliant, nuk dorëzohet kurrë”, tha fillimisht Van Bommel.

“Gjatë këtij sezoni Arbnori është rritur si lojtar dhe ndikimi i tij në skuadër poashtu është bërë më i madh. Është normale që një lojtar i ri nga një vend i huaj të marrë kohë derisa të ambientohet, por tani ai është lojtar kyç në skuadrën tonë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai është integruar plotësisht me grupin është një njeri shumë i mirë edhe në aspektin personal”, shtoi trajneri i Royal Antwerp.

Tekniku holandez beson që Muja mund të përmirësoj edhe më shumë performancën e tij duke shtuar që pret që në sezonin tjetër të ketë numra më të mirë sa i përket golave.

“Po, e di që ai mund të bëjë më mirë [të shënoj më shumë gola]. Arbnori është i ri, kështu që ka akoma kohë për të përmirësuar performancën e tij”, shtoi ish futbollisti holandez.

Në fund Mark Van Bommel deklaroi që Muja është pjesë e planeve afatgjata të tij edhe të klubit duke potencuar se ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2025.

“Arbnori ka kontratë edhe dy vjet me klubin [deri në korrik të vitit 2025], rrjedhimisht ai është pjesë e planeve tona më të gjata”, përfundoi Van Bommel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *