E vrau shokun për 20 euro, Gjykata ia konfirmon dënimin kosovarit me 24 vjet burg

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me 24 vjet e 10 muaj burg, ndaj të dënuarit Sylejman Ahmeti për vrasje të rëndë të Shaip Krasniqit.

Rasti tragjik, i cili kishte ndodhur në janar të vitit 2020 në Maqitevë të Suharekës, dyshohet se kishte nisur pas mosmarrëveshjeve për një borxh prej 20 euro që viktima ia kishte vëllait të të akuzuarit.

Studenti kosovar zbulon një metodë të re për humbje peshe
BEAUTY SLIM
Për vrasje të rëndë, shkalla e parë Ahmetit i shqiptoi 24 vjet burg kurse për armëmbajtje pa leje 10 muaj burg.

Kundër këtij vendimi ankesë në Apel, ka parashtruar Prokuroria e Prizrenit për dënimin e shqiptuar, me ç’rast ka kërkuar dënim më të rëndë, kurse përfaqësuesi i të dëmtuarës, Kumrije Krasnqi, avokati Miftar Qelaj ka propozuar që të akuzuarit t’i shqiptohet burgim i përjetshëm.

Në anën tjetër, Nazmi Mustafi, mbrojtës i të akuzuarit ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, vendimit mbi dënimin dhe shpenzimet procedurale.

Por me vendimin e Apelit që të tri ankesat janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit është vërtetuar.

“Pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzaurit, Nazmi Mustafi për një dënim më të butë dhe pretendimet e prokurorit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokat Miftar Qelaj për një dënim më të ashpër nuk qëndrojnë”- thuhet në vendim.

Instanca e dytë më tej ka theksuar se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret dhe në përputhshmëri me arsyetimin dhe se i njëjti përmban të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat janë plotësuar të gjitha elementet e veprave penale për të cilat akuzohet.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se shkalla e parë gjatë shqiptimit të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese, dhe të njëjtin dënim e ka cilësuar si të drejtë dhe të ligjshëm.

“Gjykata vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzaurit nga shkalla e parë është në harmoni me intensitetin e veprave të kryera dhe shkallën e përgjegjësisë të të akuzuarit si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave në të ardhmen dhe do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprave penale”- përshkruhet në vendimin e Apelit.

Apeli tutje ka vlerësuar se ekziston elementi subjektiv i kryerjes së veprës penale, se i njëjti me dashje ka kryer veprimet e tij dhe se në këtë mënyrë është vërtetuar përgjegjësia penale e të akuzuarit Syljeman Ahmeti.

“Gjykata e shkallës së parë në procedurën e provave gjatë administrimit të provave ka vërtetuar përgjegjësinë penale të akuzuarit, sepse i akuzuarit ditën kritike ka pasur me veti armën e zjarrit të tipit AK-47, kjo jep të kuptohet se i akuzuari para se të kryej veprën penale të vrasjes paraprakisht është përgatitur për një veprim të tillë, duke shfrytëzuar momentin dhe mjetin për kryerjen e veprimit kundërligjor ndaj viktimës”- citohet mes tjerash në vendim.

Gjykimi për Sylejman Ahmetin kishte filluar rreth tre vite më parë ku ai kishte mohuar akuzat se ka vrarë shokun e tij, Shaip Krasniqin. Ndërkaq, ka pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtja pa leje.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafene të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privoi nga jeta, Shaip Krasniqin.

Në akuzë thuhet se fillimisht i ndjeri i ka thënë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri ka dalë jashtë në oborr, ndërsa i akuzuari me shpejtësi është ngritur nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit ka dalë jashtë.

Prokuroria tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti ka shkuar te kamioneta e tij dhe nga aty ka marrë pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër ka shkrepur në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe fillimisht e ka goditur në fytyrë, i cili më pas u rrëzua në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *