Zyrtarët e policisë së Kosovës edhe në këtë muaj pagat i morën pa shtesa.
Kjo me arsyetimin e ministrisë që nuk kanë arritur që të korrigjojnë dhe përshtatin të dhënat e të gjithë të punësuarve në sektorin publikë lidhur me shtesat që ata mund të përfitojnë.
E shtesat për muajin shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill.
Kështu të paktën thuhet në njoftimin e Ministrinë së Financave.
Por as kësaj nuk po i besojnë nga Policia e Kosovës.
Kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri për Front Online thotë se mosekzektuimi i shtesave është e paarsyeshme.
“Komisioni e ka pranuar listën e pagave edhe është e vërtetë që nuk i kanë qit. Arsyen e kanë dhënë se gjoja nuk kanë mundur me e bë kalkulimin, por për një muaj ditë mos me mundur me bë kalkulimin po më duket e paarsyeshme. Sipas një komunikate do të bëhen në muajin vijim, a do të bëhen në muajin prill, a në maj, apo nuk do të bëhen fare hiç, ne nuk e dimë, veç e kemi humbur besimin, pa i pa paret në konto nuk i besojmë”, tha ai për Front Online.
Kjo, sipas Zeqirit do të ndikojë që pjesëtarët të japin dorëheqje.
“Pakënaqësia është jashtëzakonisht e madhe e policisë së Kosovës, dhe kjo do të ndikojë që pjesëtarët e policisë me u motivue për dorëheqje vullnetare. E kemi në rritje punën e dorëheqjeve”, u shpreh Zeqiri.
Nga Sindikata e Policisë mund të ketë edhe veprime sindikale, nëse e kërkojnë pjesëtarët.
“Hapi tutje ka me qenë duke u bazuar në kërkesat e zyrtarëve të policorë edhe pjesëtarëve të tjerë të policisë, çka do që ata kërkojnë ne kemi me vepru”, thotë Zeqiri për Front Online.
Përveç Policisë, edhe Shoqata Sindikale e QKUK-së ka shprehur pakënaqësinë lidhur me situatën e krijuar tek punonjësit shëndetësorë ë shkak të mos përfshirjes së shtesave në paga.