Bilanci i numrave pozitë-opozitë: A do të kalojë Trusti??

58 me 62 – ky është bilanci i numrave ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës. A do të kalojë Trusti në Kuvend?

Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional i Kosovës tashmë ka shkruar në Kuvend. I njëjti pritet të dalë nesër para deputetëve për votim.

Por, a pritet të kalojë në lexim të parë Trusti?

Për momentin partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka 58 deputetë, dhe është shprehur kundër tërheqjes së parave.

Se nuk e parakrah nismën e Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, e kishte konfirmuar edhe Qeveria.

Derisa, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e Komuniteteve së bashku i kanë 62 deputetë.

Siç edhe dihet iniciativa për marrjen e të hollave nga Trusti fillimisht ka nisur nga Bekim Haxhiu, deputeti i PDK-së, partisë së dytë më të madhe në Kuvend. Që i bie se 19-të ligjvënësit e Memli Krasniqit do t’i çojnë duart lartë kur çështja të hidhet për votim.

Njëjtë do të veprojnë edhe 15 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse fillimisht kanë hezituar në përkrahjen e kësaj iniciative.

Me një qëndrim publik për marrjen e 30%-it kanë dalë edhe tetë deputetët e AAK-së, partisë që drejtohet nga Ramush Haradinaj. Por, nuk dihet nëse për çështjen e njëjtë do të votojnë pro edhe deputetë e Listës Serbe, dhe ata të Komuniteteve.

Për të kaluar Trusti në lexim të parë, 61 deputetë duhet të jenë prezentë, dhe të marrin pjesë në votim, e pastaj 31 deputetë, shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm, duhet të votojnë për.

Por, mbetet të shihet kush do të jetë pro dhe kundër Trustit, kur Projektligji të del për votim në Kuvend.

Ndryshe, ata që kanë deri në 20 mijë euro – gjithmonë nëse tërheqja e mjeteve miratohet do të marrin 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 në mijë – 20 për qind. Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind, dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind.

Trusti është shprehur i gatshëm për shpërndarjen e të hollave, nëse procesi merr votat e nevojshme në Kuvend.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *