Klinika e Pediatrisë e stërmbushur me pacientë, dy fëmijë të shtrirë në një shtrat

Në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të fluksit të madh të pacientëve, po detyrohen që dy fëmijë t’i shtrijnë në një shtrat. Nga kjo klinikë thonë, se brenda ditës rreth 140 pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore, derisa potencojnë se rreth 30 fëmijë kanë nevojë të hospitalizohen.

Ndërkaq, prindërit ankohen për hapësirën e ngushtë, derisa thonë se brenda një dhome të vogël, bashkë me prindër dhe vizitorë numri shkon deri në 12.

Qytetari, Ramadan Berisha i cili e ka të hospitalizuar një familjar, vlerëson se kushtet në Klinikën e Pediatrisë nuk janë të mira.

Ndërkaq, lidhur me këtë, pediatri në Klinikën e Pediatrisë, Ali Venhari për KosovaPress tha se janë të detyruar t’i vendosin dy pacientë në një shtrat, për shkak të numrit të madh të fëmijëve që kërkojnë hospitalizim.

Tutje, Venhari tregon se gjatë sezonit të verës, simptomat që e karakterizojnë virozën janë vjellja, diarreja dhe temperatura.

Përveç kësaj, pediatri Ali Venhari, theksoi se Klinika e Pediatrisë ka nevojë për rritjen e stafit mjekësor, derisa shton se janë të furnizuar pjesërisht me barna esenciale.

Ndërkaq, Venhari tregoi se kohëve të fundit nuk është paraqitur ndonjë rast që ka rezultuar pozitiv me Covid-19 tek fëmijët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *