Lajm i rëndësishëm për Subvencionet e Qeverisë për energjinë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ka siguruar opinionin e gjerë publik se subvencionet e Qeverisë janë menaxhuar dhe vazhdojnë të menaxhohen me transparencë të plotë.

Sipas një statusi në rrjetin social në Facebook KEK bën të ditur se për çdo shpenzim të fondeve apo fondeve të mbetura ka dokumentim dhe gjurmë që mund të verifikohen nga çdo auditim.

Në njoftim thuhet se prej shumës 30 milionë euro kanë mbetur edhe 7.01 milionë euro.

“Nga shuma e përgjithshme (30 mil €) KEK-u në Prill, 2022 ka njoftuar Ministrinë e Ekonomisë (ME) për pjesën e mbetur (të pa shpenzuar) prej 7.01 milion € në llogari të KEK-ut. Këto mjete mbahen në llogari të ndarë nga afarizmi i KEK-ut, dhe shfrytëzohen vetëm për importin e energjisë elektrike sipas vendimit të Qeverisë se Republikës së Kosovës për subvencionimin e importit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Andaj nga KEK thonë se qarkullimi dhe shpërndarja e dezinformatave për mos transparencë të menaxhimit të subvencioneve për importin e energjisë elektrike është plotësisht i pa bazë dhe me tendencë të dezinformimit të opinionit publik.

“Citojmë: ‘KEK për blerjen e importit të munguar të energjisë elektrike, do të shfrytëzojë mjetet e mbetura nga subvencioni i Ministrisë së Ekonomisë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës nr. 05/55 të datës 21.02.2022’ “, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *