Paguan mbi 40 milionë euro për rrymën në veri, si mund t`u kthehet “borxhi” qytetarëve?

I paguan mbi 40 milionë euro për rrymën që nuk e shpenzuan vetë. Qytetarët që mbuluan faturat në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e këtyre mjeteve tash e tutje.

Kjo meqë Gjykata Supreme konfirmoi se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit patën të drejtë kur aprovuan kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në Veri.

Juristët e konsiderojnë të drejtë vendimin, por thonë se mbetet e paqartë si do ta detyrojë ZRRE-ja – KEDS-in ta kthejë borxhin.

“Çështja që do të shtrohet tani është se si do të kompensohet nga ZRRE-ja. Kjo për faktin se nuk dihet se si do të përcaktohet mekanizmi i vlerësimit të kompensimit për secilin konsumator”, u shpreh për “Front Online” juristi, Asdren Bytyçi.

Sipas tij, kompensimi do jetë mjaft i vështirë.

“Nëse nuk merret një vendim për rimbursim apo zbritje nga detyrimi për energjinë nga tani e tutje, deri në vlerën e shumës së paguar nga secili konsumator, proporcionalisht, nga ky vendim rrjedh e drejta e inicimit te padisë për kompensim ndaj KEDS-it, e në atë situatë gjykata duhet të trajtoj secilën kërkesë të veçantë dhe të vendos mjetet për nxjerrjen e provës, llogaritjen e dëmit për secilin rast”, deklaroi ai.

Njohësi i rrethanave juridike, Mazllum Baraliu tha se vendimi i Supremes është vështirë të zbatohet në praktikë.

“Vendim i cili është diskutabil nga ana e zbatimit. Formalisht merret vendimi, por realisht për ta zbatuar është problem”, u shpreh Baraliu për “Front Online”.

“Nëse i zbaton dispozitat i gjithë ai dëm që na është shkaktuar duhet të kalkulohet borxhi për secilën familje, pastaj duhet t`i shtohet 8 % kamatë ligjore në atë borxh dhe arrin shuma të mëdha”, vazhdoi tutje ai.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje për energjetikën, të arritur qysh në vitin 2013, që i hap rrugë pagesës së rrymës direkt nga shpenzuesit në veri.

Por ujdia nuk është zbatuar kurrë. Sikurse tash që nuk po zbatohet as udhërrëfyesi për energji për të cilin u pajtuan më 21 qershor 2022 në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *