Trusti pa Bord/ Janar- mars 36 milionë € humbje

Që nga 1 marsi i këtij viti institucioni i Trustit është pa bord drejtues.

Ani pse të njëjtit mandati i kishte skaduar në nëntor të vitit të kaluar, por që iu kishte zgjatur edhe për tre muaj.

E, derisa bordi ishte në përfundim të mandatit konkursi ishte shpallur më 2 dhjetor të vitit të kaluar por që nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim.

Reklama e sponzorizuar

Më 7 prill të këtij viti Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se do të rishpallë konkurs për të zgjedhur anëtarët e rinj, shkruan Front Online.

Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit për Kursime Pensionale të Kosovës (FKPK), e mori këtë vendim pasi vlerësoi se në konkursin e fundit të shpallur për këto pozita kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Në tre muajt e parë të këtij viti Trusti ka humbur rreth 36 milionë euro.

Por, tani nga ky institucion për Front Online kanë deklaruar se për muajin prill performanca e investimeve ka shënuar trend pozitiv.

“Sa i përket performancës nga investimet gjatë prillit 2023 kemi trend pozitiv dhe të dhënat janë sikur në vijim: Portofoli Standard: +0.11% ose kthimi bruto prej 2.3 milionë euro. Portofoli Konservativ: +0.06% ose kthimi bruto prej 121 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e Trustit.

Të pyetur se me çfarë rreziqe mund të përballen si institucion në rast se zvarritet ende procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, e vetmja përgjigje e tyre ka qenë që të gjitha deklarimet i kanë bërë me kohë tek institucionet përgjegjëse.

“Të gjitha deklarimet rreth çështjes së Bordit Drejtues i kemi bërë në kohë dhe tek institucionet përgjegjëse”, thuhet më tutje në përgjigje.

Rrahmani: Mungesa e bordit të Trustit, i bie sikur një shtëpi me qenë pa zot shtëpie

Lidhur me mozgjedhjen e anëtarëve të bordit për Front Online kanë folur edhe deputetë të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se procesi është kthyer në pikën zero, dhe se mungesa e bordit është mjaft e dëmshme për këtë institucion.

“Mungesa e bordit i bie sikur një shtëpi me qenë pa zot shtëpie, dhe është e kuptueshme që është e dëmshme mungesa e bordit, por që ne kemi bërë presion tek komisioni përzgjedhës edhe po presim që ata me i kry punët e tyre”, është shprehur Rrahmani për Front Online.

I pyetur se a pret që anëtarët e bordit të zgjidhen shpejtë në momentin kur të rishpallet konkursi, përgjigja e tij ka qenë e shkurtë.

“Nuk i parashikoj gjërat, po presim që secili me kry punën e vet”, ka thënë ai.

Balje: Moszgjedhja e bordit të Trustit është shumë e dëmshme

Ndërsa, deputetja e grupit multietnik Duda Balje, ka deklaruar se moszgjedhja e bordit është e dëmshme dhe institucionit të Trustit me këtë po i humb kredibiliteti.

“Unë mendoj se mos zgjedhja e bordit është shumë e dëmshme sepse njëri prej anëtarëve të bordit duhet me qenë edhe guvernatori, e ne në fakt nuk kemi guvernator por kemi vetëm ushtrues detyre edhe unë mendoj se sa më shpejtë duhet të zgjidhet bordi sepse çdo ditë jemi duke humbur, e po i humb edhe kredibiliteti këtij institucioni edhe jemi duke humbur të hollat e qytetarëve. Unë mendoj se kjo është një prej hapave shumë të rrezikshëm për ne”, ka thënë Balje për Front Online.

Sipas saj, duhet të gjendet një mundësi më e shpejtë që të hapet konkursi dhe të zgjidhen anëtarët e bordit.

Balje, ka thënë se anëtarët e komisionit përzgjedhës e që janë Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur do ta rishpallin konkursin, por se mendon se kjo do të ndodhë shpejtë.

Rreth një muaj më parë ish-ministri i Financave Avdullah Hoti kishte shkruar se “Mungesa e Bordit mund të dëmtojë investimet e Trusti me qindra miliona euro për shkak se: 1. Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara. Në rast se ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, siç po ndodh muajve të fundit, askush nuk mund të bëjë ndryshime në portfolion e investimeve për të evituar uljen e vlerës së investimeve ekzistuese të Trustit. 2. Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, që mund të jenë në miliona euro, nuk do të mund të investohen në tregje financiare.

Kurse, ish-kryetari i Bordit të Fondit Pensional të Kursimeve, Ymer Havolli, i ka quajtur të pajustifikueshme vonesat për konstituimin e bordit të ri të këtij fondi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *