“Pensionet prej 100 euro janë lëmoshë”

Iniciuesi i fushatës “Dinjitet për Pensionistët”, Xhevdet Pozhari deklaron se pensionistët po vazhdojnë të shpërfillen nga secila Qeveri, duke mos e përjashtuar as Qeverinë Kurti.

Sipas tij, 100 euro për ta janë lëmoshë.

“Pensionistët ishin dhe vazhdojnë të mbeten shtresa që në vazhdimësi është shpërfillur nga cilado Qeveri. Me të drejtë është pritur që kjo Qeveri të kthejë vëmendjen edhe kah kjo kategori, por të paktën deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me shkallën e lartë të inflacionit, shtrenjtimin e çmimeve, pagesa prej 100 euro nuk mund të konsiderohet pension, por lëmoshë”, ka thënë Pozhari, për Front Online.

Kurse, sa i përket vendimit të Ministrisë së Financave për angazhimin e ekipeve mobile për qëllim të lajmërimit të pensionistëve në dhe mbi moshën 85 vjeç, për disa komuna Pozhari thotë se ky është një joseriozitet i radhës i Ministrisë.

“Sa i përket vendimit të Ministrisë së Financave që pensionistët mbi moshën 85 vjeçare mos të paraqiten çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë, është veç një jo seriozitet i radhës që të çon të thuash se mirë që pragun e moshës nuk e kanë rritur deri në moshën 100 vjeçare. Atëherë ndoshta do të kishin më pak punë. Dhe, saktësisht mos puna e kësaj ministrie e pasqyron edhe gjendjen e rëndë dhe të pandryshuar për pensionistët në Kosovë”, është shprehur Pozhari.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i përfituesve të pensioneve dhe skemave sociale në janar të vitit 2023 është mbi 303 mijë.

Numri më i madh i atyre që marrin pensione është i atyre në dhe mbi moshën 65- vjeç e që është mbi 140 mijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *