Shala zbulon “fajtorin” e shtyerjes së Ligjit për Trustin në Kuvend

Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ku është pritur të diskutohet për çështjen e projektligjit për Trustin është shtyrë.

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, Ferat Shala, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nga radhët e PDK-së.

“Po është e vërtetë që është shtyrë mbledhja në të cilën pikë e rendit të ditës ka qenë edhe çështja e Trustit”, ka thënë ai.

Shala, ka deklaruar se kjo ka ndodhur krejt si shkak pasi që kryetari i komisionit Armend Muja i cili vjen nga radhët e VV-së, po dëshiron ta zhagitë këtë çështje.

“Kjo ka ndodhë si rezultat i obstruksioneve që kryetari i Komisionit Armen Muja, po e bën për të zhagitë deri në maksimum çështjen e Trustit dhe gjitha këto janë obstruksione politike të Lëvizjes Vetëvendosje përmes instrumentalizimit të kryetarit të Komisionit”, është shprehur ai.

I pyetur se kur pritet të mbahet mbledhja e radhës, ai ka thënë se ka mbetur çështje e hapur.

“Ka mbetë e hapur sot pas seancës apo kur kryetari e thirr mbledhjen e radhës”, ka deklaruar Shala.

Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën në Prishtinë është mbajtur edhe protestë ku u kërkua që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.

Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti. Kjo është bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe atëherë ka qenë kundër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *