Të shtëna me armë e rrahje brutale në Prishtinë, tre persona sulmojnë një 32-vjeçar

Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, ku përdoren mjetet e mprehta dhe armët e zjarrit.

Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në rrugën “Astrit Rushi” në Prishtinë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht ka pasur të shtëna me armë zjarri, e më pas viktima, një 32-vjeçar është sulmuar brutalisht nga tre persona, të cilët e kanë rrahur me mjete të forta. Për pasojë, i riu ka pësuar lëndime të rënda për çka përfundoi në QKUK.

Por si ndodhi rasti?

Pas denoncimit për gjuajtje me armë në, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kapi në flagrancë një veturë duke u larguar, e të cilën e ndoqën derisa të dyshuarit arritën të ikin. Automjeti i të dyshuarve është konfiskuar dhe brenda tij u gjetën njolla gjaku, që dyshohen se kanë mbetur si pasojë e rrahjes.

Ndërkohë, njësitë policore kanë intervenuar në lokacionin ku dyshohet se ndodhi ngjarja, me ç’rast gjetën gjak gjithandej dhe një gëzhojë që u sekuestrua si dëshmi për rastin. Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka marrë një deklaratë nga viktima, i cili po merrte trajtim në Qendrën Klinike Universitare.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dyshuarit e kanë sulmuar keq, për çka ai është detyruar t’iu nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, teksa akoma nuk është zbuluar motivi i këtij incidenti.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar fillimisht si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e asaj që ka ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *