“Dorëhiqu tradhtar” – fillojnë pakënaqësitë te disa aktivistë të LVV-së

Në orët e vona të së shtunës, kryediplomati evropian, Josep Borrell, deklaroi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Sebisë, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndonëse atë nuk e nënshkruan zyrtarisht, sigurisht, fokusi kryesor, ashtu siç edhe u theksua fuqishëm nga Borrell në konferencë për media, mbetet neni 7 ose zbatimi i menjëhershëm i një vetëqeverisje adekuate për komunitetin serb në Kosovë, transmeton Paparaci.

Kjo gjë nuk po duket si fitore për një numër aktivistësh të Vetëvendosjes. Tashmë po shohim një valë pakënaqësish brenda subjektit politik që po kritikojnë pranimin e Asociacionit e bile po e çojnë aq larg sa të shpallin Kurtin edhe tradhtar.

Madje, disa prej tyre po e kërkojnë edhe dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, teksa njëri prej tyre ka thënë se tash e tutje do të jetë me PSD-së e Dardan Molliqaj, falë largpamësisë së këtij të fundit për qëndrimet e Kurtit dhe zhvillimet në vend.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes.

Kurti tha se i takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë këtë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *