Dyshohet për djegien e veturave me targa RKS, kërkohet paraburgim për serbin

Prokuroria Speciale ka bërë kërkesën në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Milovan Bozovic, të dyshuar për djegien e tri veturave në Zubin Potok.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi. Ajo ka bërë të ditur se seanca ndaj të dyshuarit pritet të mbahet sot.

“Konfirmojmë se kërkesa është pranuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me të pandehurin M.B, seanca do të mbahet gjatë ditës së sotme”, ka thënë Gashi.

Bozovic u arrestua të shtunën, pasi dyshohet se të enjten i ka djegur tri vetura në Zubin Potok, të cilat ishin me targa RKS. Mirëpo ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj.

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit… I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhej në njoftimin e PK-së.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

” Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, kishte shkruar Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *