Kurtit i kërkohet urgjentisht ndryshimi i këtij ligji

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) po kërkon nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Sipas tyre, praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.

Kësisoj, DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.

Gjithashtu, DHTIK kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Europës.

“DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin. DHTIK, mbetë me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në kumtesën e tyre për media.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *