Llapjanëve nuk iu pëlqejnë semaforët: Veç po pengojnë në trafik

Semaforët në komunën e Podujevës, tash e një kohë të gjatë, qëndrojnë aty, por janë jashtë funksionit. Nga komuna thonë se semaforët janë në gjendje të rregullt, por që vendimi për t’i ndalur është marrë në bashkëpunim me qytetarët.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, semaforët veç se e vështirësojnë gjendjen në komunikacion. Derisa shtoi se do t’i funksionalizojnë në momentin kur e shohin të nevojshme dhe kur të bëhen matjet e duhura.

“Po, realisht semaforët, është e vërtetë që janë jashtë funksionit dhe kjo ka ndodhur si pasojë e një vendimi, që ne e kemi marrë si komunë që ta bëjmë ndaljen e tyre. Semaforët janë në gjendje shumë të rregullt dhe nuk kanë ndonjë defekt, ne mund t’i funksionalizojmë atë dite qe ne të vlerësojmë që duhet t’i funksionalizojmë, mirëpo arsyeja e ndaljes ka ardhur për shkak se ne kemi vlerësuar se këta semaforë përveç se nuk e rregullojnë komunikacionin, këta e vështirësojnë edhe më shumë. Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesave të shumë qytetarëve, të cilët e frekuentojnë rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, që këta semaforë janë vetëm pengesë për komunikacionin”, u shpreh Selimi.

Sipas Selimit, edhe pse semaforët nuk janë në funksion, kjo nuk do të thotë që ata do të mbeten edhe për shumë kohë të tillë. Por, për një ndryshim të situatës, duhet bërë matjet e sakta, si dhe kohëmatësi të jetë i saktë. Pas kësaj, është në proces edhe një kontratë e cila ka për synim mirëmbajtjen e semaforëve.

“Ne i kemi ndalur, por kjo nuk do të thotë që nuk do të funksionalizohen, me aq sa kemi parë ne, me ekspert të komunikacionit, kemi vlerësuar se kohëmatësi i cili është vendosur në këta semaforë, nuk është adekuat për rrugën kryesore “Zahir Pajaziti”, dhe me rrugët me të cilat kryqëzohet, prandaj kemi menduar që ta bëjmë një kontratë të re për mirëmbajtjen e tyre, dhe ta vlerësojmë saktë, së bashku me ekspertë të komunikacionit, dhe ta bëjmë ndryshimin e kohëmatësit”, potencoi Selimi për KP.

Shtegu i biçikletave, është një arsye tjetër, që semaforët nuk po i kthehen funksionimit. Për këtë arsye, është paraparë edhe kontrata e cila parasheh ristrukturimin e tyre, e cila mund të zgjasë më së shumti një muaj e gjysmë. Në këtë kontratë, është biseduar edhe për një palë semaforë të tjerë, por që kjo pjesë, mbetet akoma në mëdyshje, deri në matjet e sakta të semaforëve si dhe nëse shihet nevoja e madhe për vendosjen e tyre.

“Tash është edhe një gjë tjetër e cila nuk është duke na dhënë mundësinë t’i lëshojmë këta semaforë. Rruga “Zahir Pajaziti”, ka qenë me tre korsi dhe ne kemi marrë vendim që ta ndajmë një shteg të biçikletave në atë rrugë, dhe tash shtegu i biçikletave, e ndërron edhe pozicionin e semaforit… Ne tash jemi në fazën përgatitore të një kontrate të re për sinjalisitikë, për shënjezim horizontal dhe vertikal. Në kuadër të sinjalistikës ne kemi paraparë edhe mirëmbajtjen e semaforëve, dhe me të lidhur këtë kontratë, e cila nuk e di se kur do të lidhet, për shkak se kjo mundësia e ankesave, mundet ta shtyjë pak kontratën, nëse jo, brenda një muaji e gjysmë, dy më së shumti, ne shpresojmë që ta bëjmë ristrukturimin e tyre dhe t’i bëjmë funksional… Me kontratën e re, të cilën jemi duke e nisur për sinjalistikë, ne kemi paraparë edhe një palë semaforë… Të shohim, nëse ka nevojë për vendosjen e semaforëve, ne do t’i nisim procedurat, do të marrim masat, por kjo nuk do të thotë që do të vendosim semaforë pa i bërë matjet e sakta dhe pa e parë nevojën shumë të madhe për vendosjen e semaforëve”, shtoi drejtori Selimi.

Semaforët në Podujevë ishin vendosur në dhjetor të vitit 2019, 20 vite pas luftës dhe në atë kohë ishin bërë temë diskutimi në gjithë Kosovën.

Këta semaforë siç duket do të mbesin të ndalur edhe për një kohë, derisa të bëhen vlerësimet e duhura dhe të lidhet kontrata për mirëmbajtjen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *