“Mënyrë tejet mizore e veprës”, sa mund të dënohet i dyshuari për vrasjen e nënës në Pejë?

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit U.H për vrasjen e nënës së tij në Pejë.

Në arsyetimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata thotë se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje në arsyetim, gjykata tha se i pandehuri përdori një mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale.

Gjykata tha se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okularë, të cilët janë familjarë të pandehurit.

Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, dje ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.

Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.

“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.

Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Megjithatë, as zyrtarët e policisë dhe as prokurorisë nuk kanë dhënë sqarime specifike se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh është kryer vepra penale e vrasjes. Gjithashtu, ata nuk kanë dhënë as sqarime se cilat janë motivet e dyshuara për veprën penale, duke thënë se rasti është ende në fazën e hetimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *