Opozita kundër faljes së 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë kundër këtij projektligji. Edhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka trajtuar të njëjtin, ata thonë se nuk do ta mbështesin.

Deputeti nga PDK, Ferat Shala, kërkon që të anulohet vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 dhe të vazhdojë pagesa për tatim në pronë edhe këtë vit sipas ligjit në fuqi pa ndryshime.

“Ne kemi kundërshtuar dhe kemi dhënë rekomandimet tona si duhet të dilet nga kjo situatë e paqartë dhe e paarsyeshme. Tepër e rëndë për ekonominë familjare, pra vlerësimi i tatimit në pronë nga ne nuk është përkrahur dhe nuk do të përkrahet me këtë praktikë dhe pa transparencë. Askush nuk e dinë si është bërë vlerësimi i pronës, kur ka filluar dhe cilat ekipe e kanë bërë këtë. Pra, çdo gjë ka shkuar në mënyrë të fshehtën dhe Ministria e financave me departamentin e pronës kanë bërë një vlerësim paushall, jo meritor, dhe jo të bazuar në kriteret dhe standardet as reale ligjore dhe as demokratike. Në këtë rast ne kemi dalë më propozimin transparent që vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 duhet të anulohet, të vazhdojë pagesa për tatimin në pronë edhe në vitin 2023 sipas parametrave dhe ligjit në fuqi pa ndryshim”, thotë Shala.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga qeveria që ta pezullojë rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Deputetja nga kjo parti, Valentina Bunajku thotë për KosovaPress se Qeveria fillimisht e rriti faturat, pastaj u mundua t’ua hedh fajin Komunave e tani kërkon të shpërndajë “vitra”.

“Kjo qeveri është duke funksionuar me vitra, me ndihma. Nuk është dashur të rritet tatimi në pronë e pastaj t’i ofrojnë nga 100 euro. Ne kemi qenë kundër rritjes së tatimit në pronë, përkundër asaj se kjo qeveri ka dashur t’ia adresojë komunave këtë përgjegjësi, përgjegjësia është e Qeverisë sepse Komuna nuk ka të drejtë brenda 20 përqindëshit ta rrisë ose ta zvogëlojë tatimin në pronë, ndërsa qeveria e ka rritur tatimin në pronë. Ne jemi kundër rritjes së tatimit në pronë dhe sërish si parti do të reagojmë për rritjen tatimit në pronë sepse jeta e qytetarëve i është bërë e papërballueshme”, thotë Bunjaku.

Ky muaj, është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat. KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se kur do të fillojë së trajtuari ky projektligj në Kuvend, por pa sukses.

Në fillim të këtij viti, pas publikimit të faturave të reja, pati reagim të madh në lidhje me vlerësimin e pronave që çoi edhe në rritjen e pagesës së tatimit në pronë.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *