Këto janë pagat minimale në shtetet e Ballkanit

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Qeveria e tij po punon për të rregulluar skemën e pagave, pas rritjes së pagës minimale, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, Rama njoftoi se do të zhvillojë takime me sipërmarrësit për të diskutuar lidhur me rritjen e pagës minimale në sektorin privat, pasi që nga prilli, duhet të shkojë në së paku 40 mijë lekë, përkatësisht 352 euro.

“Nisim takimet me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, ku tanimë nga prilli minimumi i detyrueshëm është 40 mijë lek. Ndërkohë që qeveria po bën gati korrektimin e krejt skemës së pagave pas rritjes së ndjeshme të pagës minimale, si reagim ndaj vështirësive të paparashikuara të krijuara kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës”, njoftoi kryeministri shqiptar.

Ndërkohë, për ta bërë një krahasim me shumën e pagës minimale në Shqipëri, ai listoi pagat minimale të shteteve të rajonit, përfshirë Kosovën.

Nga kjo renditje, Shqipëria figuron e treta në rajon, së shpejti me pagë minimale 352 euro, pas Malit të Zi që e ka 532 euro dhe Serbisë që e ka 460 euro pagën minimale.

Ndërkaq, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut, me një pagë minimale 327 euro, Bosnjë e Hercegovinën, me 304 euro dhe në fund, Kosovën, që ka një pagë minimale 264 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *